Nëse dëshironi të njiheni me kulturën orientale të Mitrovicës, mos e leni të i`u ikë pa e vizituar edhe hamami i vjetër i qytetit. Objekti i hamamit do të i`u marrë me vetë në kohë dhe do i`u dërgojë në periudhën e perandorisë Osmane.
Muret e trasha me gurë ende qëndrojë, e edhe hapësira brenda objektit të hamamit është pothuajse në formën siç ka qenë më parë. Por, tani jo sikur në të kaluarën, në objektin e hamamit nuk do të mund të bëni banjë, por do të mund të uleni dhe të shërbeheni me një kafe apo një pije të ftohtë pasi që ky objekt tashmë i’u është përshtatur kohës dhe është shndërruar në një kafiteri ku është si një ndër kafiteritë më të frekuentuara të qytetit.
Kjo kafiteri tëshmë quhet “Museum Pub”, pasi që disa vite më parë në objektin e qytetit të hamamit kryente veprimtarinë Muzeu i qytetit të Mitroviëes. Ndërtesa e hamamit të vjetër shtrihet si një shkëndijë e kohës së kaluarm dhe muret e saj prej guri mbajnë peshën e historisë.
Vizita në këtë objekt është krejtësisht e lehtë, rrugën nga qendra e qytetit të Mitrovicës për tek ky objekt mund t`a pershkoni këmbë, dhe vetëm disa metralarg nga sheshi kryesor i qytetit do e gjeni veten pranë objektit të Hamamit. Hamami i Qytetit gjendet në Bulevardin Shemsi Ahmeti pa numër, ish bërthama e vjetër e qytetit aty pranë objekteve të tjera të cilat kanë përbërë dikur qendrën e qytetit.
Hamami i Qytetit u ndërtua në fund të shek. XVIII. Hamamin, sipas të dhënave të ish pronarëve të objektit, e ndërtuan Sylejman Pasha Berisha dhe nipi i tij (djali i vëllait), Zejnullah Beg Berisha. Ndërtimi i objektit zgjati dy vite. Hamami i Qytetit është njëri ndër objektet më të ruajtura të periudhës osmane, karakteristikë për objektet publike të tipit sanitar “tek”. Hamami. kreu funksionin e vet për çka edhe ishte ndërtuar deri në maj të vitit 1959. Kompozicioni arkitektonik i Hamamit të Qytetit, me një shprehje specifike, përkundër objekteve tjera publike dhe sociale të cilat janë të mbuluara me një kupolë si xhamitë, teqet, bezistanët etj., ka disa kupola të vogla dhe qemeret e tij të cilat me madhësitë e veta të brendshme funksionale shprehin ritëm të një proporcioni.
Ky ritëm i mbulimit horizontal i kundërvehet këtij kubusi nga gurët e ftohtë (pa hapje-pjesa e ftohtë dhe e vaktë), ashtu që në arkitekturë fitohet një karakter i kompozicionit arkitektonik me një shprehje skulpturale. Hamami i Qytetit gjendet në një kompleks arkitektonik që dikur ishte i rrethuar me objektet dhe zgjedhjet hapësirore të arkitekturës ambientale. Para dhe pas objektit të Hamamit të Qytetit gjendet oborri i formëzuar dhe i kultivuar me gjelbërim të lartë dhe të ulët. Nga ana lindore dhe perëndimore, objektin e Hamamit e përkufizojnë objektet fqinje të banimit dhe afarizmit dhe si e tillë, parcela përshkohet nga dy anët me rrugët e qytetit një dhe dy shiritore. Hamami është ndërtuar si hamam për meshkuj, si objekt publik i tipit sanitar “tek”.
Hamami përbëhet nga pjesa e nxehtë, pjesa e vakët dhe pjesa e ftohtë. Pjesa e ftohtë (hyrja, garderoba me fontanë, shadërvani)- “Apodyterium” është me bazë drejtëkëndëshe e ndërtuar me mure prej gurëve në dy kate (kati në formë galerie) dhe e mbuluar me kulm katërfaqësor me konstruksion klasik nga druri. Mbulesa është me tjegulla të argjilës së pjekur. Pjesa e ftohtë ka dy hyrje. Në hyrje mu në mes gjendet shadërvani i ndërtuar nga mermeri. Dritaret e mëdha janë nga ana veriore dhe ajo jugore. Në anën e djathtë të përdhesës janë shkallët e drurit për ngjitje në kat (galeri). Dyshemeja është me pllaka të gurit, ndërsa suvatimi është me llaç gëlqeror. Pjesa e vakët (zhveshja, rekuizitat-sanitaret) -“Frigidarium”, pjesa e ngrohtë (larja, djersitja, masazha dhe pushimi) – “Tepidarium” dhe pjesa teknike (Kaldatorja) – “Mutvak çulhan” – “Caldarium”, përbëjnë një strukturë të muratuar nga gurët mollozë të mbuluar me çemer dhe nëntë kupola, të cilat nga jashtë janë të mbuluara me kulm trefaqësor, kurse mbulesa është me pllaka të petëzuara të plumbit. Nga kjo sipërfaqe e kulmit depërtojnë kupolat të cilat po ashtu janë të veshura me pllaka të petëzuara të plumbit. Venddepërtimet e dritës – “okuluset” në sipërfaqet e kupolave dhe qemerëve janë të punuara nga korniza metalike me xham.
Përfundimi i mureve me kurorë (rekonstruimi i kulmit në vitin 1936) të formuar nga tullat e plota dhe pllakëzat e pjerrëta të gurit bëjnë lidhjen e murit të objektit me kulmin. Megjithëse hamami ishte shndërruar në muze pjesa e vakët dhe pjesa e ngrohtë kryesisht janë ruajtur siç kanë qenë. Kaldatorja shfrytëzohej për depo të nevojave të muzeut me qasje nga jashtë. Ndërsa pjesa e ftohtë në dy katet ishte shndërruar në hapësirë për ekspozim të eksponateve muzeale. Në pjesën e ngrohtë të hamamit zënë vend katër hapësira të ngrohta për pushim dhe katër hapësira për larje – “halvet”. Në çdo halvet gjenden nga dy govata të ujit – “kurna” nga mermeri.
Çdo hapësirë e larjes dhe e pushimit është e mbuluar me nga një kupolë të vogël. Hapësira qendrore – “mejdani” e pjesës së ngrohtë është e mbuluar me një kupolë qendrore më të madhe. Muret ndarëse po ashtu janë nga guri, kurse hapjet përfundojnë në formë harkore të përpunuara në mënyrë plastike. Pjesa e vakët – “kapalluk” është e mbuluar me qemer sikurse edhe kaldatorja. Ngrohja e hapësirave të hamamit bëhej përmes teknologjisë së kanaleve nën dyshemenë e pjesës së ngrohtë të hamamit – “hipokaust”, të cilat janë jashtë përdorimit nga koha kur hamami pushoi së funksionuari. Ndërsa sistemi i tubacionit nga qeramika në kuadër të mureve po ashtu u largua në kohën kur Hamami i Qytetit pushoi së funksionuari.
Hamami i Qytetit përjetoi disa herë ndryshime dhe rekonstruktim, në emër të modernizimit, punë të cilat u kryen pa përgjegjësi dhe pa profesionalizëm, me çka Hamami i Qytetit përjetoi dëmtime si konstruktive ashtu edhe arkitektonike estetike, artistike dhe në vlera ambientale. Punët në emër të rekonstruimit, restaurimit dhe konservimit në Hamam të Qytetit u kryen në vitet 1876, 1936, 1958, 1980. Në vitin 2005/2006 u zhvilluan punimet në restaurim të Hamamit, invesitor ishte UNESCO. Hamami i Qytetit nuk është shkatërruar gjatë luftës (1998-1999). Përveç disa intervenimeve në enterier dhe eksterier, ky objekt në përgjithësi ka ruajtur origjinalitetin e vet.
Me propozimin e komisionit komunal për nacionalizimin e objekteve dhe tokës ndërtimore, Kuvendi Popullor i Komunës së Mitrovicës me vendimin nr: 178/59 me datë 17 shtator 1959 mori vendimin për legjitimimin si pronar – shfrytëzues të këtij objekti Muzeun dhe Arkivin e Qytetit të Mitrovicës. Objekti i hamamit ishte në përdorim si Muze i Qytetit (muze arkeologjik, historik, numizmatik dhe etnografik) deri nëntor 2009. Nga nëntori i vitit 2009 objekti i është kthyer trashëgimtarëve të ish pronarit dhe tani ka funksionin e lokalit gastronomik.
Transformimi interesant që ka ndodhur në këtë hamam të vjetër duke u shënderruar në një kafiteri është një mënyrë e mrekullushme për të ruajtur trashegiminë kulturore dhe për t’i dhënë një frymë të re ambientit.
Ky transformim sjellë një kombinim unik midis historisë së vjetër dhe stilit të ri të jetës së qytetarëve në Mitrovicë. Eshtë një menyrë e bukur për të mbajtur gjallë kujtimet e kaluara në një formë të modernizuar dhe të pranueshme për qytetarët.
Linku Google Maps: https://maps.app.goo.gl/vLtJ6cVWFZSuYrrV6