E-Mail

ohvsh.trungu@gmail.com

Liqeni Akumulues

Në veri të Kosovës, aty ku lumi Ibër gjarpëron përmes maleve dhe fushave të Mitrovicës, një peizazh i ri është formuar gjatë dekadës së fundit – Liqeni Akumules i Mitrovicës. Ky liqen artificial, i ndërtuar mes viteve 2013 dhe 2017 me mbështetjen e Bashkimit Evropian, shtrihet në një gjatësi prej 1.8 kilometrash, ndërsa gjerësia e tij arrin deri në 150 metra, duke ofruar hapsira të gjëra për aktivitete të shumta rekreative. i vendosur mes qytetit të Mitrovicës dhe fshatrave përreth si Suhodolli, Zhabari, Gushafci dhe Vinarci, ky liqen i ri ka ndryshuar jo vetëm pamjen e kësaj zone, por edhe stilin e jetesës së banorëve të saj. 

     

Fotografitë: Kemajl Behrami

Historikisht, Mitrovica ka qenë një qytet i ndërtuar rreth burimeve të saj natyrore dhe industriale, me një rëndësi të veçantë për minierat dhe burimet e tjera që kanë ushqyer zhvillimin e saj. Me kalimin e kohës, qyteti ka përjetuar ndryshime të shumta, por Liqeni Akumulues përfaqëson një faze të re të zhvillimit të tij, një investim që i ka dhënë qytetit një qasje më të hapur drejt natyrës dhe turizmit. Ndërtimi i liqenit ka sjellë jo vetëm një burim të ri të ujit për zonën, por edhe një qendër të re turistike që ka tërhequr banorë dhe vizitorë nga e gjithë Kosova e më gjerë. 

Me një thellësi deri në 4 metra, Liqeni Akumulues është perfekt për aktivitete të shumta ujore. Në verë, liqeni mbushet me vizitorë, duke u freskuar, duke notuar, duke lundruar me varka ose thjesht duke pushuar pranë liqenit. Ndërkohë, për ata që preferojnë aventurat, zonat përreth liqenit ofrojnë shtigje për shëtitje në këmbë ose me biçikletë, duke ofruar pamje mbresëlënëse të peizazhit malor dhe lumit që rrjedh ngadalë. Pikërisht këtu, në këtë vend njerëzit gjejnë një hapsirë të përsosur për t’u shkëputur nga përditshmëria dhe për të kaluar një ditë relaksuese. 

Fotografitë: Kemajl Behrami

Por atraksionet e Liqenit Akumulues nuk kufuzohen vetëm tek aktivitetet recreative. Përgjatë bregut të tij janë ndërtuar restaurante dhe kafiteri që ofrojnë kuzhinën tradicionale të Mitrovicës dhe ambient të ngrohtë për të shijuar një kafe ose drekë me familjen apo miqtë. 

Gjithashtu, afërsia e liqenit me qytetin e Mitrovicës e bën atë një destinacion të lehtë për t’u arritur. Vetëm 3 kilometra larg qendrës, vizitorët mund të arrijnë në liqen për 7-10 minuta me veturë ose për rreth 30-40 minuta në këmbë.

       

Fotografitë: Kemajl Behrami

Nëse jeni në kërkim të një destinacioni me një natyrë të qetë dhe mikpritje të ngrohtë, Liqeni Akumulues i Mitrovicës është vendi ideal për ju. Vetëm 3 kilometra larg nga qendra e qytetit, ky liqen artificial ofron pamje mahnitëse, ujëra për not dhe vozitje dhe restaurant buzë liqenit ku mund të shijoni për një kafe apo drekë relaksuese. Me shtigje për ecje dhe zona rekreative për familje, Liqeni Akumulues është destinacioni perfekt për t’u shkëputur nga rutina dhe për të përjetuar natyrën e bukur të Kosovës në çdo stinë të vitit.

  

Fotografitë: Kemajl Behrami

Linku Google Maps: https://maps.app.goo.gl/KnQre146kpkLdpem8

sqAlbanian