Vllahia është një ndër fshatrat më të bukur të Shalës së Bajgorës. Si fshat kondrinoromalor përmban në vete bukuri të rralla natyrore. Fshati merr pamje të ndryshme në të katër stinët e vitit, andaj nëse jeni të dhën pas natyrës edhe ecjes nëpër rrugët malore, mos e leni pa e vizituar Vllahinë.
Përpos bukurive natyrore në Vllahi mund ta gjeni edhe një objekt shumë simpatik që vjen nga kultura islame. Pasi që shumica e banorëve të fshait i përkasin konfesionit islam, në këtë fshat ekziston, që nga shekulli i XIX Xhamia e vogël e fshatit. Xhami kjo që qysh nga ajo kohë e edhe sot është shfrytzuar për kryerjen e ritualeve fetare islame nga vet fshatarët e këtij fshati por edhe të fshatrave përreth. Për ata që duan të vizitojnë këtë xhami, mjafton të shkoni një herë në fshatin Vllahi, i cili ndodhet 20 kilometra në veri të Mitrovicës
Me përhapjen e fesë islame filloi të paraqitet edhe kultura dhe arti islam. Në arkitekturën e xhamive arti islam ishte mjeti kryesor shprehës. Çdo shprehje artistike e realizuar si në konstruksion ashtu edhe në elemente funksionale kishte edhe karakter artistik. Xhamia e fshatit Vllahi është ndërtuar në shek. XIX nga donatori Hajzer Vllahija. Xhamia është në funksion dhe është mjaft e frekuentuar nga popullata e fshatrave përreth. Xhamia me etazhe S+P është e ndërtuar mbi bazament drejtkëndor. Themelet dhe muret e xhamisë janë ndërtuar nga gurët shkëmborë të përforcuara me hatulla horizontale nga druri. Konstruksioni i kulmit është katër faqësor i mbuluar me tjegulla meridianë.
Minarja e xhamisë e ngritur mbi bazament guri ka formë cilindrike me sherefe nga gardhi metalik dhe maje të veshur me llamarinë. Hapësira e brendshme e xhamisë përbëhet nga salla e lutjeve, mahfili, i cili është i ngritur nga salla e lutjeve 40 – 50 cm dhe është i ndarë me gardh druri. Mahfili është i shtrirë në pjesën jugperëndimore dhe veriperëndimore të sallës së lutjeve, që formon dy hapësira të lutjes në këtë pjesë e në mes të këtyre dy hapësirave është hapësira që përfundon me derën e hyrjes dhe daljes, e cila është përballë mihrabit (nishit), i cili është i hapur në murin lindor, ndërsa në pjesën e këndit juglindor ndodhet minberi dhe hutbeja të ndërtuara nga druri. Të gjitha elementet e drurit janë të ngjyrosura me ngjyrë të gjelbër. Intervenime në xhami ka pasur kohë pas kohe.
Në vitin 1962 Mehmet Hajzeri nga Vllahia e ka ndërtuar minaren e saj pasi që ishte shkatërruar në fillim të dekadës së dytë të shek. XX. Ndërsa në vitin 2011-2012, me iniciativën e banorëve të fshatit, është bërë një rinovim i xhamisë ku është rregulluar hyrja dhe oborri i xhamisë si dhe suvatimi i minares. Transformime nuk ka pasur, mirëpo që nga viti 2021 kjo xhami është futur si objekt nën mbrojtje të përkohshme.
Linku Google Maps: https://maps.app.goo.gl/MnmJb7aXdzzsCSSXA