Diversitetin kulturor dhe fetar në qytetin e Mitrovicës dhe harmonin ndërjmet këtyre diversiteteve e dëshmojnë edhe dy Teqet e fshatit Suhodoll të këtij qytetit. Teqet tek banorët e fshatit, por edhe të qytetarëve të Mitrovicës, njihen si Teqja e Halil Mripës dhe Teqja e Jonuz Efendis.
Këto objekte kulti konsiderohen si objekte shumë të rëndësishme posaqërisht për banorët e Suhodollit. Në to, ndër vite janë kryer ritet fetare nëpër data dhe kohë të caktuara dhe vazhdojnë edhe sot.
Teqja e Jonuz Efendisë
Teqeja e Junuz Sabri efendiut, ndodhet në fshatin Suhodoll i Poshtëm, 5 km larg nga Mitrovica. Junus Sabri efendiu (1848-1909), pas kthimit nga shkollimi dhe studimi i Melamet-it në Stamboll, e ndërtoi teqenë, në Suhodoll të Poshtëm. Në këtë teqe, pas emërimit Junus Sabri efendiu shërbeu deri sa ndërroi jetë. Në Teqe, Junus Sabri efendiu hap edhe shkollën (mektebin) për fëmijët e fshatit Suhodoll, fëmijët e Mitrovicës dhe fshatrat fqinjë. Nxënësit, Junus Sabri efendiu i mësonte edhe shqip, për çka edhe u akuzua nga pushteti i kohës, për gjoja prishjen e fesë, duke përdorë në mësime gjuhën shqipe. Pas ndërrimit të jetës të Junus Sabri efendiut, në vitin 1909, nxënësit e tij ia ndërtojnë tyrben përballë teqesë, iniciativë kjo, e nisur nga Haxhi Hafiz Vejsel Mikullovci. Ushtrimin e detyrës murshidi kamilit, deri në ndërrimin e jetës më 1926, e ushtroi halifja e tij, Haxhi Hafiz Vejsel efendi Mikullovci (1872-1926). Pas ndërrimit të jetës, edhe atij, nxënësit e vet, ia ndërtojnë tyrben të bashkangjitur me tyrbe të Junus Sabri efendiut. Teqeja qysh nga fillimi e deri sot, funksionon si objekt për realizimin e ritualeve religjioze dhe të mësimeve të Melamet-it/Melami. Tyrbet e ndërtuara nga muret e gurit kanë nga një hapësirë, me planimetri tetë këndore, të mbuluara me kupola. Që të dy hapësirat, në njërën faqe, janë të bashkuara njëra me tjetrën. Dyert hyrëse për në tyrbe të mbuluara me gjysmë kupola, janë të hapura nga ana veriore. Në çdo njërin këndë të tyrbeve, është e hapur nga një dritare me përfundim gjysmë harkor.
Teqja e Hafuz Halil Mripës
Teqeja e Hafiz Halil Mripës, ndodhet në hyrje të fshatit Suhodoll i Poshtëm, larg 5 km nga qyteti i Mitrovicës. Hafiz Halil efendi Mripa (1892-1967), deri sa ishte në jetë, kishte shërbyer në teqenë e Junus Sabri efendiut. Hafiz Halil efendi Mripës ia ndërtuan tyrben nxënësit (ihvanet) e tij, në hyrje të Suhodollit të Poshtëm, në anën e djathtë të rrugës, në vitin 1967. Një vit më pas ihvanet e tij, ndërtuan edhe teqenë e Melamive. Truallin për tyrbe dhe teqe e ka falë Aga Rexhep Syla nga Suhodolli. Kompleksi i teqesë qysh nga fillimi e deri sot, funksionon si objekt për realizimin e ritualeve religjioze dhe të mësimeve të tarikatit Melamet-it/Melami. Në oborrin e teqesë ndodhet tyrbja. Tyrbja është e ndërtuar nga muret e beton armesë të veshura nga jashtë me mur guri. Tyrbja përbëhet nga një hapësirë me etazhitet njëkatësh me planimetri tetë këndore, kulmi me kupolë është i punuar nga konstruksioni beton arme kurse mbulesa është realizuar nga llamarina. Dera hyrëse për në Tyrbe është e hapur nga ana veriore, ndërsa në murin ku është e vendosur pllaka me mbishkrim osman është e hapur një dritare katër këndore. Anët tjera janë pa hapje. Në oborrin e rrethuar të teqesë, ndodhen varrezat e komunitetit Melami. Gjatë luftës (1998-1999) teqeja u dogj. Me mjete dhe vullnetin e tyre, menjëherë pas luftës, komuniteti vendor e rindërtuan.
Linku Google Maps: https://maps.app.goo.gl/omXjve4wULV99GF97