E-Mail

ohvsh.trungu@gmail.com

Shtëpia e familjes Koroglu

 

Shtëpia e familjes Koroglu, është një thesar arkitektonik dhe kulturor i Mitrovicës, i cili përfaqëson një pjesë të çmuar të trashëgimisë historike. E ndërtuar në gjysmën e parë të shekullit XIX, kjo shtëpi është shembull i stilit arkitekturor tradicional qytetar të asaj kohe. Ajo i përket llojit të shtëpive me çardak të mbyllur. E vendosur në qendër të Mitrovicës, në një lagje të njohur nga banorët si Kaçamak Mahallë, kjo shtëpi simbolizon përpjekjet e ruajtjes së trashëgimisë për brezat e ardhshëm. Edhe pse e mbrojtur nga ligji që nga viti 1978 si monument i trashëgimisë, kohët e fundit shtëpia ka pësuar dëmtime të rënda.

Sipas të dhënave shtëpia është ndërtuar rreth gjysmës së parë të shek. XIX nga familja e lartpërmendur, Koroglu. Shtëpia ka funksion të banimit. Ajo i takon tipit me çardak të mbyllur. E ngritur mbi bazën -themelin me gurë, muret masive janë të muratuara në përdhesë nga guri, ndërsa muret e jashtme të konstruktuara nga brezat e drurit të mbushur me qerpiç formojnë konstruktin e shtëpisë në kat. Muret e jashtme janë të veshura me teknikën e suvatimit me llaç gëlqeror – horoson. Në anën jugore të shtëpisë çardaku del në formë prizmatike. Çardaku dhe muret janë në formë konzolle. Dalja e trarëve të dyshemesë së katit nga planimetria e mureve të përdheses së fasadës jugore dhe asaj lindore jo vetëm që rrit hapësirën e brendshme por njëkohësisht edhe formon artistikisht pamjen e jashtme të shtëpisë.

 

Platforma e çardakut përmes kapiteleve në formë jastëku të profilizuar apo nëntrarëzave të profilizuara është i bartur nga katër shtylla të fiksuara në platformën e oborrit. Në katin e parë përveç dritareve të çardakut të gjitha dritaret e tjera janë origjinale. Në fasadën perëndimore është e hapur një, ndërsa në atë veriore janë të hapura tri dritare njëkrahshe. Tavani është si një përbërës funksional dhe estetik në çardak dhe ka dhoma. Dhomat janë të orientuara nga ana jug-perëndimore dhe jug-lindore dhe qasja në to bëhet nga hapësira e çardakut. Orenditë e fiksuara në mure, pos që ofrojnë funksionalitet, njëkohësisht paraqesin dekorime të pasura artistike të punuara në dru. Konstruksioni i kulmit është klasik nga druri. Kulmi shumëfaqësorë është i mbuluar me tjegulla të argjilës së pjekur-tjegulla tradicionale-qeremidhe. Struktura nuk ka lëvizur. Përveç disa intervenimeve në enterier dhe eksterier, ky objekt në përgjithësi ka ruajtur origjinalitetin e vet. Shtëpia nuk ka pësuar ndryshime të mëdha në kohë. Në ditët e sotme shtëpia e vjetër qytetare nuk shfrytëzohet nga familjarët, por shtëpia ende e ka ruajtur karakterin e destinimit për banim. 

Shtëpia e familjes Koroglu, pavarësisht dëmtimeve të kohës së fundit, mbetet një atraksion për vizitorët që dëshirojnë të dijnë më shumë për historinë dhe trashëgiminë kulturore të Mitrovicës. E ndërtuar në shekullin XIX, kjo shtëpi i ofron vizitorëve mundësinë për të përjetuar nga afër një arkitekturë tradicionale që pasqyron mënyrën e jetesës së asaj kohe. Një nga elementet më mbresëlënëse është çardaku. Vizitorët mund të shikojnë pamjen e mureve të ndërtuara me gurë dhe qerpiç, tregojnë përkushtimin ndaj ndërtimit dhe artit të asaj periudhe.

Linku Google Maps: https://maps.app.goo.gl/o5vKsRhCWjKgJTFx5

 

sqAlbanian