E-Mail

ohvsh.trungu@gmail.com

Kulla e Tahir Rrahmanit

 

Në një nga zonat më të thella të Drenicës, në lagjen “Baliaj” të fshatit Açarevë, në Skenderaj, gjendet kulla dykatëshe e Tahir Rrahmanit. Kjo kullë, jo vetëm që bart në vete histori të vjetër të familjes që ka jetuar në të, por edhe histori tjera që lidhen me kulturën e artin shqiptar, dhe me t`u vizituar kjo kullë, shumicës së shqiptarëve të moshave më të vjetra, por edhe atyre të moshave të mesme, do i vie në mendje filmi “Martesa e Bariut” , film ikonik i gjiruar në po këtë kullë.

Sipas Tahir Rrahmanit këtë kullë e ka ndërtuar babagjyshi, Rrahman Azemi. Kulla është ndërtuar në dhjetëvjetëshin e fundit të shek. XVIII. Kulla ka funksion banimi. Në katin përdhese gjenden dy dhoma, njëra është për qëndrim ditor të familjes dhe tjetra ka shërbyer vend për lënien e kafshëve me rastin e ardhjes së mysafirëve, ndërsa kati i dytë ka dy dhoma banimi dhe odën për mysafirë. Përveç vlerave arkitektonike që i posedon, kësaj kulle ia ngritë vlerën dhe i jep karakter fortifikate veprimtaria patriotike e cila është zhvilluar në këtë kullë. Kulla ka shërbyer edhe si vend për mbajtjen e dasmave, të pamjeve, pajtimit të gjaqeve. Pas luftës së fundit (1998-1999) kulla ka shërbyer edhe për zhvillimin e kulturës artistike.

 

 Në këtë kullë është gjiruar filmi i aktorit tonë të mirënjohur Adem Mikullovci,‘‘Martesa e Bariut’’. Kulla është ndërtuar mbi themele me etazhe P+1, me mure konstruktive të ndërtuara nga gurët e latuar të lidhur mes vete me llaç dhe të shtanguara me hatulla druri, të vendosura horizontalisht në pesë radhë, dhe radha e gjashtë që funksionon edhe si kurorë e konstruksionit të kulmit nga druri. Shtyllat mbajtëse të vendosura në katin përdhese i krijojnë stabilitet dyshemesë së katit të sipërm përmes jastëkëve të profilizuar, të vendosur mbi shtylla. I gjithë konstruksioni i meskatit, tavanit dhe kulmit janë nga druri. Mbulesa e kulmit është me rrasa guri. Hapësira ndriçuese karakterizohet me hapjet drejtkëndore dhe ato me hark në formë frëngjish. Kulla është jashtë funksionit. Kulla ka të ruajtur pamjen origjinale që nga koha e ndërtimit.

Kjo kullë që nga viti 2021 është futur si objekt nën mbrojtje të përkohshme nga institucionet e trashëgimisë kulturore të Kosovës.

sqAlbanian