E-Mail

ohvsh.trungu@gmail.com

Kulla e Rexhë Gashit

 

Në lagjen Gashi, fshati Abri e Ulët, Komuna e Skenderajt, gjendet kulla dykatëshe  e Rexhë Gashit. Kjo kullë e ndërtuar në vitin 1906 ruan freskët autenticitetin dhe integritetin e saj. Përpos pamjes që flet për historinë dhe mënyrën e ndërtimit të kullave në fshatrat e drenicës dhe jo vetëm, kjo kullë bart në vete histori takimesh dhe mbledhi burrash trima të asaj zone. Në këtë kullë janë zhvilluar shumë takime të rëndësishme, të patriotëve të shquar të asaj kohe, që e përfshin periudhën nga Lufta e Parë Botërore e gjer me mbarimin e Luftës së Dytë Botërore, e më pas   gjer në luftën e fundit të vitit 1998-1999. Ndër figurat më të shquara qe zhvilluan takime ne ketë kullë ishin: Azem Bejta, Shaban Polluzha, Xhemajl Abria etj.

Pas Luftës së Parë Botërore kulla ka shërbyer edhe si bujtinë për tregtarët e kohës. Pasi që Zeqir Gashi ishte pleqnar i asaj kohe, kulla ka shërbyer si vend për pajtimin e gjaqeve. Kjo e bën këtë kullë, një objekt që s`duhet lënë në pluhurin e harresës,  ajo duhet vizituar që e kaluara të kujtohet e të nderohen edhe ata që shërbyen në shuarjen e gjakmarrjes ndër shqiptarë, e atyre që shtëpitë e tyre të banimit nuk hezituan t`i kthejnë në shërbim të së mirës për atdheun. Kulla e Rexhe Gashit objektet profane rurale me vlera te larta historike, arkitektonike, artistike, shoqërore dhe shpirtërore ka arritur qe ti rezistojë kohërave dhe faktorëve te ndryshëm duke ruajtur një pjese të shumtë të elementeve të vlerave të Trashëgimisë Kulturore.

 

Kulla është e ndërtuar mbi themele guri me etazhitet P+k me mure konstruktive të ndërtuara nga gurët e latuar. Kulla ka një enterier te pasur nga druri që e bene te veçohet nga kullat tjera ne rajon. Dollapët ne forme nishe, raftet e profilizuara (sergjene), trapazani, divanhanja, si dhe tavani prej dërrasave  me vana e ne mes te tavanit  rozeta e thelluar me plastike te kornizës qe thekson pjesën e rafshtë te tavanit nga ajo e thelluar ( pjesa e theluar mban gjurmët e ngjyrës se gjelbërt dhe oker).

Kulla ka qenë e banuar deri në vitet 1988. Ajo tani ka një pamje estetike, duke ruajtur origjinalitetin e saj, dhe duke qenë e hapur për vizitorë falë intervenimeve që janë bërë në të, në vitin 2014 ku janë ndërmarr masa emergjente brenda kësaj kulle, nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit.

Linku Google Maps: https://maps.app.goo.gl/DxRn2GzUPcmKCnSc9

sqAlbanian