E-Mail

ohvsh.trungu@gmail.com

Kompleksi Memorial “Adem Jashari”

 

Në vatrën e trimave, në tokën që gjëmoi për liri, në Prekazin heroik të Drenicës, gjindet Kompleksi Memorial Adem Jashari.

Ky është vendi që në vete ngërthen, dhimbje, sakrificë, flijim, por mbi të gjitha krenari. Cdo pëllëmbë toke e këtij kompleksi ka një hisori lavdije. Muret e shembura të kullave të shkatërruara e djegura flasin me një zë kumbues, e të prekin thellë në ndjenjën e ndërgjegjen njerëzore. Ky kompleks që gjendet në Prekaz të Skenderajt u ndërtua për nder të rënies së heroike të familjes Jashari në betejën për liri të 5,6 dhe 7 marsit të vitit 1998.

Përveç shtëpive të shndërruara në muze, dhe varrezave të të rënëve gjatë këtyre datave, Kompleksi Memorial “Adem Jashari”, ofron edhe Muzeun e hapur në vitin 2016, ku janë të vendosura eksponate të ndryshme, të cilat vizitorët kanë mundësinë t’i shohin nga afër.
Në muze janë gjithsej 62 eksponate, të cilat kanë të bëjnë me luftën, me jetesën, me punën, me ushqimin, me të gjitha fushat e jetës që ka bërë familja Jashari, por edhe pjesa tjetër e lagjes Jashari, që ka qenë gjithashtu pjesë e luftimeve të marsit 1998.

 

 

                                                                             Fotografitë: Sefer Aliqkaj

Si u zhvilluan luftimet me 5,6 dhe 7 Mars 1998

Më 5 mars të vitit 1998, forca të shumta terroriste të policisë dhe ushtrisë serbe, me mjete të blinduara i ishin vërsulur lagjes së Jasharajve. Në ditën e parë të sulmit mbi familjen Jashari ishte zhvilluar një betejë e fuqishme kundër forcave ushtarake dhe policore serbe. E gjithë familja e Adem Jasharit filloi luftimet pa asnjë kompromis, të përgatitur për të bërë rezistencë deri në vdekje.

Sipas rrëfimit të Besarta Jasharit, dëshmitares së  kësaj Epopeje, ditën e parë u zhvillua luftë e madhe, gjatë tërë ditës shtëpitë u granatuan. E vetmja që u vra atë ditë ishte Adilja, gruaja e Ademit. Ajo u vra në shkallët e njërës shtëpi, pasi ajo kishte shkuar për të marrë municion.

Në ditën e dytë të sulmit mbi familjen Jashari, gjegjësisht me 6 mars të vitit 1998, luftimet, sipas rrëfimit të Besartës, filluan që në mëngjes, nisën përsëri granatimet e forcave serbe. Granatat binin në çdo pjesë të shtëpive dhe të oborrit. Granatimet vazhduan të jenë të fuqishme dhe nga copat e granatave u vranë disa anëtarë të familjes.

 

Adem e Hamzë Jashari së bashku me djemtë e familjes rezistonin ende në pozicionet e tyre.

Në ditën e tretë të sulmit, më 7 mars 1998, që konsiderohet edhe si dita e rënies heroike të Komandantit të UÇK-së, Adem Jasharit dhe familjes së tij, dita e lavdishme e Epopesë së UÇK-së. Besarta i përshkruan edhe momentet e fundit dhe kryesore për luftimet në shtëpinë e Jasharajve.

Nga këto luftime të ashpra që u zhvilluan tri ditë radhazi me forcat policore dhe ushtarake serbe, së bashku me Komandantin e UÇK-së Adem Jasharin, nga familja e tij në fushën e nderit ranë heroikisht në mbrojtje të pragut të shtëpisë, atdheut dhe kombit 20 anëtarë, 10 prej të cilëve ishin fëmijë.

   

 Fotografitë: Kemajl Behrami

Beteja e 5, 6 dhe 7 marsit në Prekaz, nga distanca kohore dhe aspekti historik mbyll një kapitull të dhimbshëm të shqiptarëve të Kosovës, dhe fillon një etapë të re. Ajo përkujtohet si beteja që përcaktoi të ardhmen e shqiptarëve, që ua ktheu dinjitetin shqiptarëve dhe që e frymëzoi çdo atdhetar.

Duke marrë parasysh domosdoshmërinë e vënies në mbrojtje të kësaj zone me interes të veçantë, i cili ka rëndësi ontologjike, antropologjike, historike dhe kulturore për qytetarët e Kosovës, Kuvendi i Kosovës kishte edhe ligjin për shpalljen e Kompleksit Përkujtimor “Adem Jashari” zonë me interes të veçantë nacional.

Pranë varreve të dëshmorëve të rënë të kësaj familjeje si Shaban, Hamëz e Adem Jashari pandërprerë qëndron Garda e FSK-së, e cila e nderon Komandantin Legjendar dhe mbarë familjen Jasharaj.

Kompleksi memorial “Adem Jashari* është edhe një nga lokacionet më të vizituara në Kosovë. Cdo vit, qytetarë nga të gjitha trevat shqipfolëse, por edhe qytetarë nga e gjithë bota e vizitojnë nëtë kompleks, dhe e nderojnë veprën dhe sakrificën e të rënëve në altarin e lirisë.

Ndërsa, që nga paslufta, muaji Mars i kushtohet Epopesë së UCK-së , dhe me aktivitete të ndryshme përkujtohet rënia heroike e familjes Jashari.

Ndërsa me datë 7Mars të cdo viti, mbahet manifestim përkujtimor i cili mbledh në Prekaz e Skenderaj qytetarë të shumtë, që me krenari i japin nderin veprës së Jasharajve dhe mbarë UCK-së.  

      

 

Fotografitë: Sefer Aliqkaj                                    

 

Kompania Lapsi 360 ▫  ju mundëson edhe shëtitjen virtuale nëpër të gjithë kompleksin, përmes digjitalizimit në 360 shkallë që ata kanë bërë në këtë kompleks.

Këtë kompleks në mënyrë virtuale mund ta vizitoni përmes linkut në vijim: https://kmademjashari360.com/

 

Linku Google Maps: https://maps.app.goo.gl/vqG3wg7LD6vzQYe58

sqAlbanian