Kur niseni drejt maleve të bukura të Shalës së Bajgorës, nuk duhet ta humbisni edhe një monumentet shumë interesante, Kishën Shën Pjetri. Ky monument gjendet në Stan-Tërg të Mitrovicës.
E rrethuar me lisa të gjatë, ta jep përshtypjen e një pamjeje shumë mesjetare. Është një ndër vendet më të vizituara nga mitrovicasit dhe më interesantet për atraksione të ndryshme. Edhe pse kanë mbetur vetëm germadhat e saj, ajo pa dyshim se ta ngacmon imagjinatën dhe të kthen prapa në kohë. Pra, është një vend që nuk duhet nguruar për ta vizituar, nuk do të zhgënjeheni.
Foto: Ergyn Meshekran
Kjo kishë ka një strukturë mahnitëse që përfaqëson një kombinim të rrallë midis historisë, arkitekturës dhe besimit. Me muret e saj pothuajse të rrënuara, vizitorët mahniten nga qetësia që përhapet nëpër ambientin përreth. Kisha Shen Pjetrit ishte jo vetëm një vend adhurimi, por është edhe një mbrojtës i historisë dhe kulturës së Mitrovicës, duke rikujtuar kohët e vjetra dhe duke e bërë qytetin të ndjehet si një vend me një trashëgimi të pasur materiale e shpirtërore.
Bazilika – Kisha Katolike – Shën Pjetri gjendet rreth 9 km në lindje të qytetit të Mitrovicës, në Stan-Tërg, komuna e Mitrovicës. Kisha katolike Shën Pjetrit është monument sakral. Është ndërtim i shek. XIII. Gërmadhat e kishës paraqesin një pamje mjaft pitoreske, në një peisazh malor shumë të bukur, me gjurmë mjaft të dukshme të aktiviteteve minerale. Është e ndërtuar për nevojat e komunitetit katolik dhe për herë të parë përmendet më 1303, atëherë kur përmendet edhe Trepça për të parën herë. Nga kjo del që prezenca e komunitetit katolik vendor daton shumë më herët se në shek. XIII, kur komuniteti i minatorëve sas, si njohës të nxjerrjes dhe përpunimit të xeheve, u vendosen në këtë lokalitet. Nga të dhënat e shkruara del që kisha me gjasë ka qenë në funksion gjerë në shek. XVI (përkundrejt faktit që sasët që në dekadën e parë të shek. XV pushojnë së ekzistuari në Trepçë), meqë në këtë periudhë komuniteti katolik është ende shumë i numërt.
Kështu në këtë kohë në Trepçë përveç Bazelikes së Shën Pjetrit përmendet edhe Kisha Katolike e Shën Mërisë dhe në vitin 1448 përmenden katër priftrinjë katolik. Kisha tani është pothuaj e tëra në rrënoja. Sot, ka mbetur vetëm pjesa e vjetër e mureve perimetrike (në një lartësi për rreth 0.45 cm mbi nivelin e dheut). Muri i vetëm i cili qëndron është pjesa kryesore e murit lindor, me tri apsida. Ndërtesa është e tipit bazilikal – tri anijatshe; gjurmët e mbetjeve na japin me dije se anijatet mes veti ishin të ndara me shtylla dhe harqe. Mbetja e mureve tregon se kisha nuk ka pasur vetëm hyrjen kryesore nga perëndimi, por po ashtu edhe dy hyrje anash, në atë veriore dhe jugore. Baza e kishës është drejtëkëdëshe (14.0 x 19.0 m) e orientuar në drejtimin perëndim-lindje dhe përfundon me pjesën apsidale nga ana lindore. Pjesa apsidale është ruajtur më mirë dhe është e mbuluar me tri gjysëm-kupola. Apsida e mesit në zonën e ulët ka një hapje-dritare, ndërsa në zonën e lartë ka tri hapje. Harqet e dritareve janë të thyera, të ndikimit gotik.
Në tri apsidat janë ruajtur gjurmët e freskave në dy shtresa. Shtresa e parë daton nga shek. XIV, kurse shtresa e dytë nuk dihet se cilës kohë i takon. Ndërtimi i mureve tregon ndikimin bizantin. Struktura është ndërtuar prej murit të përzier (gurë-tulla) nga materiali guror molloz dhe tullave të plota të argjilës së pjekur. Trashësia e mureve është përafësisht 1.5 m. Punët e restaurimit dhe konservimit u kryen në korrik-gusht 1967. U punua serkllazhi nga beton armeja për të ndërprerë plasaritjet vertikale dhe restaurimi i arkivoltës. Ndërkaq muret perimetrike u zbuluan dhe u konservuan në lartësinë prej 50 cm. Formësimi i kornizave të freskave, pllombimi i freskave me llaç kazein si dhe fiksimi në mur u punua me injektim. Ndërkaq pastrimi i freskave u punua me shalitër. Sipas njohurive të deritanishme, gjatë kohëve ky monument i kulturës nuk pësoi transformime.
Ky objekt, që nga viti 2019 është futur si objekt nën mbrojtje të përkohshme nga Ministria për Kulturë Rini dhe Sport.
Edhe pse Kisha e Shen Pjetrit, ka mbetur pothuajse e rrënuar, vazhdon të jetë një simbol i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore të qytetit, kujtesa për të dhe ndikimi i saj në komunitet vazhdojnë të jenë të ndjeshme. Trashëgimia e saj historike dhe kulturore vazhdon të frymëzojë dhe të mbrohet nga banorët dhe autoritetet vendase si një pjesë e rëndësishme e identitetit të qytetit të Mitrovicës.
Nëse doni të vizitoni këtë lokacion do ju duhet të bëni rreth 10 km larg nga qyteti i mitrovicës, e do ju marrë afër 30 min kohë, që të arrini në destinacion. Ju sigurojmë që vizita e kësaj kishe në Stantërg do i`u mbetet në kujtesë, dhe kjo kishë do jetë një nga objektet më interesante të trashëgimisë kulturore që keni vizituar ndonjëherë në rajonin e Mitrovicës.
Linku Google Maps: https://maps.app.goo.gl/XCrpgapCde1wtBzJ6