Gërmadhat e Kalasë së Zveçanit, shihen pothuajse nga secila pjesë e qytetit të Mitrovicës. Kjo kala është ndërtuar në një kupë vullkanike, dhe cilsohet si një ndër kalatë më të rëndësishme të këtij rajoni. Kjo kala besohet se është ndërtuar në periudhen e Perandorisë Bizantine dhe kishte rëndësi të madhe për bizantinët. Ishte fortifikata kryesore përballë shtetit serb të Rashkës dhe mundësonte siguri gjatë shfrytëzimit të pasurisë nëntoksore në Veriun e Kosovës sidomos në kohën e Car Simeonit të gjat shek. IX. Qyteti i Mitrovicës do të hynte nën sundimin serb në fillim shek. XIII, si pjesë e territorit të Rashkës, në kohën e Stefan Nemanjës. Ky pushtim u bë i mundur nga luftrat e njëpasnjëshme në Ballkan dhe dobësimit Bizantin, sidomos nga sulmi në Konstandinopojë, i njohur si “Kryqëzata e Katërt”.
Fotografitë: Kemajl Behrami
Nemanjiqët do të ndërtonin kisha dhe manastire të shumta në Veri të Kosovës, do të pushtonin Shkupin nga bizantinët dhe do t’i fusnin në kontroll pasuritë nëntokësore, minierat, të cilat kontribuoan në suksesin e kësaj dinastie.
Kalaja e Mitrovicës (Zveçanit) ishte ndër vendet kryesore të Serbisë mesjetare në Kosovë, pas shtrirjes së ekspansionizmit sllav në tokat arbërore, në fund të shek. VII. E një rëndësie të njejtë edhe për Perandorinë Osmane, pas triumfit në “Betejën e Kosovës”, më 1389. Thënë më saktë, kushdo që kontrollonte kalanë, kishte përparësi efektive në mbrojtjen e Veriut të Kosovës, i cili në aspektin politik, ngarthente kontrollin ushtarak, të sulmeve nga veriu, atë të pasurisë mbi minierat si dhe atë ekonomik, të tregtisë, sidomos lidhjen e vijës tregtare me Dubrovnikun. Kalaja e Mitrovicës ishte vendi ku u ekzekutua Stefan Duçanski, nga i biri i tij, Stefan Dushani, i cili qe trashëgimtari më i suksesshëm i nëmanjiqëve, njëkohësisht i parafundit nga kjo dinasti. Pas rënies së tyre, kalaja do të binte në pushtet të Vuk Brankoviqit, dhëndri dhe kundërshtari i madh i princit Lazar.
Fotografitë: Kemajl Behrami
Pas triumfit osman në Betejën e Kosovës më 1389, kundër princërve serb në krye me princin Lazar, Vuk Brankoviqi ishte ndër të paktit që mbijetoi, por i pafuqishëm për të ruajtur territorin autonom dhe të refuzojë vasalitetin osman. Osmanët e detyruan atë që të dorëzojë Shkupin, qendren e mbretërive serbe si dhe Kalanë e Mitrovicës, si vendin më rëndësishëm në Kosovë. Kjo ishte humbja më e madhe, e cila që simbolizon rënien e despotizmit serb në Kosovë. Osmanet do ta kishin nën zotërim kalanë deri në shek. XIX. Garnizonet turke u vendosën ne kala dhe jetesa u vendos në anën e kundërt të lumit Ibër, duke ndërtuar Xhami, Medrese, Hamame, Pazare dhe Sahatkullë. Kalaja e Mitrovicës lidhte rrugën tregtare të osmanëve me zotërimet (vilajetet) e tyre në Bosnjë. Ajo do të braktisej nga osmanët gjatë depërtimit Austrohungarez në Ballkan.
Fotografitë: Kemajl Behrami
Kalaja e Mitrovicës përmendet edhe në udhëpërshkrimet e Evlija Çelebiut gjatë shek. të XVII, ose “Mitrovica e Kosovës” siç e quante ai. Gjatë arritjes në Mitrovicë nga Pazari i Ri (Novi Pazar), kalaja ishte vendi ku Çelebiu u ndal. Duke përshkruar ngjarjet që ndodhën në atë kohë në “Librin e udhëtimeve”, Betejën e Kosovës, vrasjen e Sulltan Muratit dhe pushtimin e Kalasë së Mitrovicës, këtë të fundit e portretizon si “Ogurzezë”, si shenjë fatkeqësie lidhur me ngjarjet në vrasjen e Sulltanit në fushën e Kosovës.
Kalaja e Mitrovicës dikur vendi kryesor i mbretërive serbe në Mesjetë, në aspektin e trashëgimisë, kishte një agjendë dhe trajtesë të veçantë edhe në epokën millosheviqiane, ku në vitin 1990, institucionet shtetërore serbe do ta shpallnin atë si objekt me kulturë dhe rëndësi të jashtëzakonshme.
Gjithashtu, ajo bënë pjesë në kuadër të ligjit për Zonat e Veçanta të Mbrojtura të Republikës së Kosovës, sipas emërtimit ligjor, “Kështjella Mesjetare e Zveçanit” si vend historik dhe kulturor i një rëndësie të veçantë për Komunitetin Serb si dhe për komunitetet e tjera.
Për kalanë e Zvecanit apo sic njihej edhe si Kalaja e Mitrovicës, ka shkruar edhe Ami Boue. Edhe pse autori Ami Boue, kalanë e Zveçanit e emron si “..kështjella e vjetër mbretërore serbe..”, gja që na bënë të ditur se nuk ishte thelluar shumë në lashtësinë parasllave të kalasë, përshkrimi që i bëhet është mjaft interesant për t’u lexuar.
”Kështjella e vjetër mbretërore serbe e Svetschan (Sveçan-ditë feste) ekziston ende pranë Mitrovicës, e tillë që të lë një mbresë të këndshme.Gjendet mbi një mal trakit me majë, i cili lartësohet rreth 800 këmbë mbi brengun perendimor të Ibarit.Kështjella mbizotëron krejt hyrjen e grykave të ngushta në të cilat ky lumë derdhet pas Mitrovicës. I mbuluar nga pyelli i pishave, shpatet thikë i japin malit në pjesën e sipërme formën e një koni të prerë paksa.
Në anët nga lindja dhe veriu ka shpate shumë të ngurtë apo rrepira qê zbresin deri në Ibar, por nga ana e Lindjes, brinja ka veçse një të tretën e gjatësisë së këtyre të fundit, ndërsa në jug maja e malit lidhet nëpërmjet një qafe të vogël me një sukë me lartësi më të vogël.
Rrugët për tu ngjitur aty, madje me qerre janë ende të dukshme.Me sa duket aty ka pasur dy; ajo që ngjitej prej Ibarit përdorej vetëm nga kalorësit dhe këmbësorët,ndërsa ajo e qerreve arrinte nga ana e Lindjes duke u kthyer nëpër suka të ndryshme të zëna tashmë nga vreshtat dhe kullotat; më pas, për të arritur deri në hyrjen e kështjellës, ajo bënte të gjithë rrotullimin nga Jugu në Veri dhe më pas nga Veriu në Jug. Forma e mbështjellës është ajo e një kastraveci pak të kurbuar.
Fotografitë: Kemajl Behrami
Hyrja është në anën Veri-perendimore dhe aty mbërrihet vetëm përmes një rruge gjatpëruese. Duket të ketë qenë e pajisur me një farë lese që mundë të shtyhej te një mur anësor me gurë ndërtimi. Pjesa e brendshme e gjitha e rrethuar me mure të lartë dhe të trashë, është me hapësirë të vogël gjithashtu e zënë pjesërisht nga shkëmbinj. Aty dallohen dy ndarje, ajo e oborrit të kështjellës dhe ajo e kishës, e gjendur në anën Jugore; në anën perendimore dallohen brenda mure katër pjesë të dala, të cilat formohen si katër kulla katrore, në anën lindore ka vetëm dy kulla. Mbetjet e kështjellës konsistojnë në dy ndërtesa katrore me një kopësht të vogël dhe një cistern në formë kubeje mjaft të madhe dhe të gërnuar në shkëmb. Duke hyrë në oborr, gjendet në të majtë dhe në të djathtë nga një kullë katërkëndore, më tej në të majtë lartësohen shkëmbinjtë ku gjendet cisterna.Duke kaluar rrëzë tyre shkohet te rezidenca mbretërore, kasha e së cilës ka qenë e ndarë nga një mur që ekziston ende.
Kisha është 30 hapa e gjatë dhe 10 hapa e gjerë; sanktuari është I ndarë nga pjesa tjetër e kishës nga një murk u është hapur një kubë dhe një dritare e harkuar.Sanktuari ka formën e një gjysmë rrethi dhe kasha ka formën e një katërkëndori, mbi të cilin kalon paksa gjysëm rrethi. Porta është në anën e djathtë, muret në pjësën e brendshme mbajnë ende gjurmë të pikturave të turbullta të shenjëtorëve dhe në mes të kësaj ndërtese pa çati është një lloj pusi i cili ka të ngjarë të jetë hyrja e ndonjë katakombe.
Për më tepër, atje ku kjo kështjellë fillonte aty mbrohej nga një kullë e madhe katrore e vendosur përmes rrugës në anën perendimore rrëze kodrës në formë koni; një tjetër kullë rrumbullake gjendej në anën e këtejme të të parës, buzë rrugës, ndërsa disa mbetje muresh tregojnë disa ngrehina në grykën midis kështjellës dhe sukës në Jug.Aty shihet ende një mur, i cili duket të ketë qenë i lidhur së bashku me këto ndërtesa me sukën e sipërmendur, cili ka mundësi të ketë shërbyer si pozicion i jashtëm.”
Në rrethinë të qytetit të Mitrovicës përkatësisht në Shalë të Bajgorës tregohen shumë legjenda të ndryshme për kalanë, e njëra ndër to thot se: ”..dikur herët në lashtësi, kishte qenë një burrë i cili menjher pas martesës së tij kishte shkuar të punojë në ndërtimin (rindërtimin) e Kalasë së Zveçanit. Pas shkuarjes së tij atje, në shtëpinë e tij i kishte lindur djalë. Puna në kala ishte aq e gjatë dhe e mundimshme sa që babi nuk kishte arritur asnjherë ta takoj djalin e tij. Ndërsa djali pasi që ishte rritur rreth 5 vjeq kishte filluar të interesohet për babain e tij dhe vendos të shkoj ta kërkoj. Djali pasi që arrinë në vendin ku bësheshin punimet fillon të pyes për babain e tij duke e kërkuar në emër dhe mbiemër. Duke kërkuar hasë në babain e tij pa e ditur se është ai dhe e pyet. Burri që ishtë duke punuar kur merr vesh se ishte djali i tij ai që po e kërkonte e godet me copë shkëombi në kokë dhe e mbyt djalin e tij. Thuhet se arsyeja e mbytjes ishte që babai nuk kishte dëshirë që biri i tij të i përjetonte mundimet dhe vuajtjet e mëdha sic i kishte përjetuar ai gjatë punës në kala.’’
Një vizitë në Kalanë e Zveçanit do të ishte një përvojë shumë interesante për ju.
Linku Google Maps: https://maps.app.goo.gl/KYw2WSLk3DWs4Dno6