Mundë të themi lirshëm se qyteti i Vushtrrisë mban në vete thesare të cmuara që përfaqësojnë e prezantojnë më së miri edhe vet vjetërsinë e këtij qyteti të njohur si qyteti Antik.
Në mesin e shumë ndërtesave të vjetra që ka ky qytet, e që janë ndërtuar ndër shekuj, është edhe një ndërtesë tjetër që në një kohë të caktuar ka luajtur një rol tejet të rëndësishëm sa i pëprket ruajtjes së fakteve të së kaluarës dhe historisë.
Ky objekt është objekti I ish Arkivit historic të Vushtrrisë I cili gjendet përballë objektit të Komunës.
Koha e ndërtimit të këtij monumenti i takon shek. XX. dhe si i tillë ka ruajtur origjinalitetin e tij edhe pse pjesërisht.
Qytetarët e Vushtrrisë, e sidomos ata të moshës më të vjetër kujtojnë kohën kur brenda këtij objekti ruheshin dokumente administrative e historike që prezantonin etapa të ndryshme të qytetit.
Objekti me etazhe P+K, me bazament guri, është ndërtuar nga tullat e argjilës së pjekur. Në katin përdhese ka ndërhyrje në fasadën perëndimore, ku është hapur vitrina për veprimtari tregtie, ndërsa kati i sipërm ka ruajtur origjinalitetin si në enterier ashtu edhe në eksterier. Në fasadat ballore (perëndimore dhe veriore) hapësirat e ndriçimit me korniza druri dhe parmakë metalikë si dhe kurora e fasadës e gdhendur në formë dhëmbëzoresh ruajnë autenticitetin e objektit.
Arkivi Historik Komunal në Vushtrri është themeluar më 3 mars 1968. Në fillim me këtë shërbim ka punuar në kuadër të Drejtorisë për Punë Administrativo – Juridike dhe të Përgjithshme të Kuvendit Komunal në Vushtrri.
Po të gjindeni në Vushtrri, dhe mos të vizitoni këtë objekt, do humbisnit mundësinë të njiheni me një nga objektet më të rëndësishme të këtij qyteti.
Monumenti gjendet në qendër të qytetit, andaj mos e humbisni mundësinë të njiheni nga afër me të kaluarën…
Linku Google Maps: https://maps.app.goo.gl/zcEq7dBWx77DxGcX9