E-Mail

ohvsh.trungu@gmail.com

Ura e Ibrit

Kur përmendet qyteti i Mitrovicës, padyshim se pamja e parë që ju vie në mendje do të jetë ura mbi lumin Ibër. Kjo urë për të cilën u fol e u përfol aq shumë. Kjo urë që bashkë me qytetin e Mitrovicës, i kaloi të mirat dhe të ligat, bashkë me malet e Shalës që e rrethojnë përreth, bashkë me kalanë dardane të Zveqanit që i rri si mburojë, bashkë me ujin e kthjellët të Ibrit që kalon poshtë saj, e gjithsesi edhe bashkë me qytetarët e Mitrovicës.

Kjo urë, pa buzëqeshjen e fëmijëve mitrovicas deri sa freskohëshin pranë ujit të lumit Ibër, në ditët me vapë të korrikut. Ishte aty edhe kur të rinjët bënin ‘korzë’ nga një skaj në tjetrin skaj të qytetit. Ura e Ibrit dëgjoi edhe bisedat e pleqve që uleshin për të pushuar në hapsirën e shëtitorës së ‘kejit’. Ishte aty, pa diellin tek lindte dhe përëndonte. E lagte shiu dhe e zbukuronte bora gjatë dimrit duke i’a vënë sipër petkun e bardhë. Ura e Ibrit është dëshmitare edhe e periudhave më të errta të qytetit, e posaçrisht të kohës së luftës së fundit në Kosovë. Në këtë urë nuk përfundoi lufta në 1999, në Urën e Ibrit zgjati ende, lirshit mund të themi zgjati deri më sot.

 

Fotografitë: Kemajl Behrami

Po të mundë të fliste e të rrëfente, askush më mirë se ura e ibrit nuk do të dinte ta tregonte historinë dhe përjetimet e saj. Është shumë gabim të thuhet që qytetin e ndau Ura e Ibrit, është më shumë se gabim të thuhet kështu. Ajo qëndroi aty si gjithmonë. E Mitrovica u nda nga, dihet se kush…!
Pra kjo urë nuk është thjeshtë një urë për të kaluar në anën tjetër të lumit. Kjo urë është e lidhur ngushtë me memorien kolektive të Mitrovicës. Është ura e Ibrit në Mitrovicë!

Në fillim Ura e Ibrit ishte e ndërtuar nga druri më 1884, bashk me gurët e kishës së Zveçanit të cilët gurë u urdhërua të mirrën nga Jusuf Beu, komandant i Perandorisë në Mitrovicë. Fare pranë sajë u ndërtua më 1933 Ura e Hekurit mbi lumin Ibër. Këto dy urë bashkëjetuan një kohë të shkurtër, pra Mitrovica për disa vjet kishte dy ura, që ajo e drurit pastaj duke qenë se ishte e dobësuar kah mesi i viteve tridhjetë do të shkatërrohet, diku në fillim të viteve të 40-ta.

Në të dy anët e qytetit popullsia shqiptare përbënte shumicën, në jug shumicën absolute ndërsa në veri shumicën e thjeshtë. Gjatë luftës në Kosovë ushtria, policia, paramilitarët, dhe civilët e armatosur serbë me forcën e armëve dëbuan për në Shqipëri qindra-mijëra banorë shqiptarë, ndërsa shtëpitë e tyre u dogjën me themel. Pas mbarimit të luftës në Kosovë (qershor 1999) banorët shqiptarë u kthyen në vatrat e djegura të tyre. Fatkeqësisht kjo nuk ndodhi me banorët e pjesës veriore të qytetit. Nga ajo kohë Ura mbi lumin Ibër u kthye në pikë të zezë të ndarjes, ku përgjonin bandat e armatosura serbe të ashtuquajtura “rojet e urës” që terrorizonin popullsinë civile shqiptare.
Në vitin 2001 ura u renovua me paratë e qeverisë franceze . Operacionet strukturore si zgjerimi i skelës qendrore, rikonstruksioni i pllakës dhe trotuareve prej betoni dhe zëvendësimi i kushinetave dhe fugave të zgjerimit janë kryer në 100 metra. Përveç këtyre veprimeve të riparimit të urës, punimet përfshinin edhe vendosjen e elementeve shtesë arkitekturore si këndvështrime mbi urë, furnizimin dhe vendosjen e ndriçimit, shkallët e hyrjes në breg dhe ndërtimin e dy harqeve dekorative. Kompania Freyssinet iu dha kontrata për rindërtimin e urës së Mitrovicës. Kushtet e kontratës përcaktuan që Freyssinet të punësojë një ekip ndërtimi shumë-etnik për të rindërtuar urën. Në shtator të vitit 2000 u zgjodhën 61 punëtorë nga Kosova – pjesë e barabartë shqiptarë dhe serbë. Menaxheri i projektit ishte Pierre Lottici. Departamenti i Transportit dhe Infrastrukturës – një divizion i Strukturës së Përkohshme Administrative të Përkohshme të UNMIK-ut (SPPA) – mbikëqyri kontratën e urës. Në fund të qershorit 2001, ura e përfunduar, me koston përfundimtare të DM 3 milionë i janë dorëzuar qytetit të Mitrovicës.

Ura e Re është një nga tre urat mbi Ibër brenda Mitrovicës. Dy të tjerat, njëra që të çon në stacionin hekurudhor dhe tjetra është një urë hekurudhore e braktisur, janë përdorur vetëm pak. Ura e Re është pika kryesore e kalimit ndërmjet dy anëve të qytetit për këmbësorët.

Njerëzit nga Mitrovica dhe madje edhe ushtarët e KFOR-it shpesh i referohen urës duke e quajtur atë “Ura e Austerlitz”, për shkak të ngjashmërisë së ngushtë me Viaduc d’Austerlitz francez.

Që nga viti 2012, skajet veriore dhe jugore të urës janë patrulluar 24/7 nga Karabinierët Italianë nga KFOR – MSU për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në zonë dhe për të penguar aktivitetet ilegale.

Ura mbi lumin Ibër mbetet ende e ‘mbyllur’, pra nëpër të nuk mund të kalohet me mjete të ndryshme trasnporti, por është e qarkullueshme kalimi i saj në këmbë. Hapja totale e urës mbetet ende një ‘mister’. Kohëve të fundit janë bërë përpjekje të shumta nga autoritetet vendore që kjo urë të funksionalizohet, por ende nuk ka ndonjë gjë konkrete.
Nëse vini në Mitrovicë, dhe jeni duke shëtitur, gjithsesi se rruga do të i’u dërgojë tek Ura e Ibrit. Vetë ura do të ju tërheqë tek ajo, ndoshta për shkak të historisë së saj, ndoshta për shkak të bukurisë së saj, ndoshta për shkak të dhimbjes që mbanë në vete, ndoshta edhe për të ju rrëfyer…kush e di?!

Linku Google Maps: https://maps.app.goo.gl/Cp9hFyCsK7Pd39wW8

en_GBEnglish