Në qytetin e Vushtrrisë, mbi shtratin e thatë të lumit Sitnica gjindet një nga urat më të vjetra në Kosovë, Ura e Gurit. Gurët e kësaj ure janë dëshmi e lashtësisë dhe qëndresës së një ndërtimi impresionues që është bërë qysh në shekullin ll ose lll. Kjo urë është një nga monumentet e rralla arkitektonike dhe hidroteknike në qytetin e Vushtrrisë. Ura e Vjetër e Gurit gjendet në pjesën veriperëndimore të hyrjes së qytetit e cila sipas hulumtimeve llogaritet të jetë ndër urat më të vjetra të këtij lloji në Kosovë. Sipas historianëve kosovarë, 5-6 harqe të kësaj ure mendohet se janë ndërtuar në shekullin e II ose III.
Rëndësia e këtij monumenti tregon se sa i vjetër është qyteti i Vushtrrisë. Deri në shekullin e XVII nën këtë urë ka kaluar lumi Sitnica, ndërsa mendohet se për shkak të ndryshimeve natyrore, erozioneve etj., Sitnica ka devijuar për 500 metra dhe kjo urë sot e saj dite ka mbetur pa lum. Ura i lidhte fshatrat e rrëzë Çyçavicës me qytetin e Vushtrrisë dhe nëpërmes Grykës së Klysyrës e lidhte Rrafshin e Kosovës me rajonin e Drenicës. Po nëpër këtë urë kalonte edhe rruga e cila e lidhte qytetin e Vushtrrisë me stacionin e trenit në fshatin Shtruerë.
Në lidhje me vjetërsinë e urës ka versione të ndryshme por dominojnë mendimet sipas të cilave ajo është ndërtuar në kohën e Perandorisë Osmane apo edhe më herët në kohën e Perandorisë Romake. Në vetëqytetin e Vushtrrisë ajo njihet me emrin Ura e Vjetër e Gurit.
Në urë kanë qenë disa mbishkrime latine të cilat punëtorët shkencorë të Beogradit i kanë hequr nga aty. Qarqet shkencore dhe joshkencore serbe përpiqen që urën ta paraqesin si të ndërtuar në kohën e Serbisë mesjetare por nuk kanë asnjë argument përpos përfundimeve të trilluara.
Argumentet e deritashme shkojnë më tepër në favor të mesjetës së hershme. (Burimi: Grup autorësh: Vushtrria-Viciana me rrethinë, Kuvendi Komunal, Vushtrri, 2003) Ura është ndërtuar nga blloqet e gurit, të cilat duket se janë marrë nga kodrinat e qytetit antik të Lumkuqit si dhe të Martirajt të Epërm. Gurët janë të gjatë rreth (1) një metër dhe të trashë 30 – 40 cm, të gdhendur mirë e të murosur me rende paralele. Ura me pjesët shtesë anësore, (të cilat si duket janë ndërtuar më vonë), është e gjatë 135 metra, e ngritur mbi (9) nëntë harqe.
Linku Google Maps: https://maps.app.goo.gl/utj1dYbJrqwb8hta7