E-Mail

ohvsh.trungu@gmail.com

Mulliri i familjes Beka

 

Në pjesën jugore të fshatit Kuqicë, në komunën e Skenderajt gjendet Mulliri i familjes Beka. Sipas të dhënave të pronarit, ky objekt u ndërtua afërsisht para 250/300 viteve. Edhe pse ka shërbyer pwr rreth tre shekuj, ky mulli ende është funksional.

Vite më parë, në këtë mulli kanë ardhur njerëz nga një numër i madh i fshatrave të Drenicës për të bluar misrin dhe grurin. Përvec vendit ku bluhet misri, në mullirin e Zenel Bekës gjithmonë ka ekzistuar dhe ende ekziston një dhomë e vecantë, ku njerëz të ndryshëm që kanë sjellë drithin për të bluar kanë bërë gjumin derisa kanë pritur të bluajnë të mirat e tyre nga korrja e arave.

Në këtë dhomë, sic mund t`a shihni edhe në fotografi, gjindet një shtrat i vogël, dhe krah tij një stufë e druve për ngrohje. Ky objekt që në pamje duket aq minimal, ka qenë dikur objekti që në njëfar mënyre i ka furnizuar me bukë të gojës të gjithë banorët e Kuqicës dhe të dhjetra fshatrave tjerë përreth. Si i tillë, ky mulli duhet të ruhet si një thesar i cmuar, që popullit I ka siguruar gjënë më bazike të mbijetesës, ushqyerjen .

Gjithmonë ky objekt ka kryer funksionin e mullirit – si objekt ekonomik për bluarje e drithit për nevojat e familjes dhe popullatës së kësaj treve. Mulliri i ujit (S+P) paraqet ndërtim të kombinuar ku muret janë punuar me materiale gurë kurse materiali lidhës është dheu. Fragmente të strukturës së mureve dhe konstruksioni i kulmit janë punuar nga konstruksioni i drurit kurse mbulesa e realizuar me tjegulla të falsuara.

Në kuadër të mullirit është hapësira e mullingjiut për pushim dhe hapësira e pajisjeve për bluarje. Nën hapësirën e pajisjeve për bluarje gjegjësisht në suterren kalon jazi i ujitObjekti gjatë viteve nuk ka pësuar transformime të theksuara dhe ka ruajtur gjendjen fillestare të ndërtimit. Sipas të dhënave dhe pamjeve vizuale, ky mulli ndodhet në një gjendje emergjente, pasi që sipas institucioneve të trashëgimisë, intervenimet në të nuk janë pranuar nga ana e pronareve.

Mirëpo, kjo nuk duhet të bëhet pengesë që njerëzit të marrin rrugën për në fshatin Kuqicë, dhe të ndajnë një pjesë të kohës së tyre, për të vizituar e kujtuar këtë object, që kontributin dhe vlerën e tij e tij e dëshmoi në kohët kur populli kishte më së shumti nevojë. Ky mulli, me pamjen e tij të bën të kuptosh që vlera e objekteve nuk fshihet në madhësinë fizike të tyre , por në rëndësinë e vlerave që posedohen dhe shfaqen përgjatë kohës nga ai objekt.

Vizitoni këtë mulli, sepse do shtoni në listën tuaj të vizitave një vend me vlera të cmuara që flet për trashëgiminë kulturore dhe atë shpirtërore të shqiptarëve.

Linku Google Maps: https://maps.app.goo.gl/JJkBEndm5FNF3uaa7

en_GBEnglish