E-Mail

ohvsh.trungu@gmail.com

Kulla e Sefedin Zasellës

Një lokacion tjetër që patjetër duhet vizituar, ndodhet në fshtin Zasellë ose Kodër të qytetit të Mitrovicës. Në këtë fshat të bukur dhe shumë piktorest e gjeni një kullë që është shfrytzuar për banim, dhe është ndërtuar që në shekullin e XIX.

Në terrenin me rënie të lehtë në lagjen e “Abazëve” në fshatin Zasellë, komuna e Mitrovicës, gjendet kulla dykatëshe (sipas njësimit në popull) e Sefedin Zasellës. Sipas të dhënave të marra nga Ibrahim Sefedin Abazi, kjo kullë është ndërtuar nga mjeshtrit dibranë, dhe është ndërtuar në të njëjtin vit kur është ndërtuar Kazerma e Vjetër në Mitrovicë, e që i takon shek. XIX. Kulla ka funksion banimi. Kati përdhese ka dy hapësira për përgatitjen e ushqimit gjatë ditës, dhe një hapësirë për ruajtjen e ushqimit familjar. Kati i sipërm ka tri dhoma, dy dhoma gjumi, ku në kuadër të njërës dhomë është edhe hamamxhiku. Gurët për ndërtimin e kullës janë marrë te livadhi siç e quajnë fshatarët “Livadhi i cekllit”.
Kulla ka kryer funksione të shumta. Ka shërbyer si vend për bashkimin e lagjes për të zhvilluar lojëra të ndryshme kulturo-artistike dhe mbajtjen e shumë ceremonive të jetës shoqërore. Kulla e ngritur mbi themele guri, me mure konstruktive, me blloqe të latuara, arrin etazhin (S+K). Konstruksionet e meskatit, kulmit dhe tavanit janë nga druri. Hapjet për ndriçim janë dritaret katër këndore me kornizë me blloqe guri.

Dera e hyrjes në pjesën e sipërme përfundon me hark të formësuar nga gurët. Kulmi katër faqësor është i mbuluar me tjegulla tradicionale. Zemërgjerësia dhe bujaria e pronarit të kullës, Sefedin Zasella, ia shton vlerën sociale objektit në fjalë. Me fillimin e përhapjes së Abetares në gjuhën shqipe në këtë kullë janë ruajtur ekzemplarët për rajonin e Shalës. Kulla ishte e banuar deri në vitin 2003. Edhe në periudhën e luftës ka shërbyer si vendstrehim për refugjatë. Në kullë nuk hasim në intervenime të tjera nga koha e ndërtimit, në përjashtim të kornizave të hapësirave të ndriçimit. Gjendja në të cilën gjendet kulla nuk është e mirë, është duke shkuar drejt një shkatërrimi, nuk banon askush dhe ajo tani ka funksion ahuri. Objekti është rrënuar nga pronari në vitin 2016.

Një vizitë në fshatin Zasellë padyshim se do të ishte një përvojë shumë interesante. Në këtë fshat jo vetëm që do të kënaqni me natyrën e bukur nëpër të gjitha stinët, por do ta keni mundësinë e vizitës së shumë objekteve interesante siç është kulla e ‘Sefedin Zasellës’.

Fshati Zasellë është ende i banuar, dhe mikpritja në këtë fshat është shumë bujare. Duke shëtitur nëpër rrugët e ngushta të fshatit, patjetër se do të takoheni me ndonjë banor të fshatit të cilët nuk do të hezitojnë të ju përshëndesin me një “A je, si je..“! E nëse e vërejnë se keni interesim për të biseduar, do të ndalen për të i ndrruar “nja dy-tre llafe..”. Nga bisedat me ta do të keni mundësi të njiheni me tregime të ndryshme për fshatin, toponime vendase për fushat, malet, luginat dhe gjithsesi se do të ftoheni edhe për një kafe!

Linku Google Maps: https://maps.app.goo.gl/m4R2w9MpFiunG34s7

en_GBEnglish