E-Mail

ohvsh.trungu@gmail.com

Kulla e Asllan Tupellës

 

Një objekt me rëndësi të vecantë që i ka mbijetuar kohës, qysh nga gjysma e shekullit XIX në rrëthinë të Mitrovicës, është kulla e Asllan Tupelles në fshatin Kçiq i Vogël. Gjendja e kësaj kulle momentalisht nuk është e mirë, dhe është në rrezik për tu rrënuar, andaj një vizitë sa më e shpejtë tek kjo kullë do të ishte shumë i nevojshëm, nësë keni dëshirë të njiheni edhe me një cep të vogël të historisë së Mitrovicës, përkatsisht të këtij rajoni në përgjithsi.

Kjo kullë, është simbol i historisë, gjeografisë dhe trashëgimisë kulturore të kësaj zone të mahnitshme. Muret e saj të forta tregojnë për kohën e kaluar dhe përjetësojnë kujtimet e heronjve të kaluar që mbrojtën me guxim dhe nder qytetin. Kulla shkëlqen si një kujtesë e lavdishme e një epoke të kaluar, duke frymëzuar zemrat e banorëve me një ndjenjë të thellë respekti  për trashëgiminë e tyre të lavdishme.

Kulla gjendet në lagjen e “Tupellëve” të fshatit Kçiq i Vogël. Ky fshat gjndet vetëm rreth 7 km larg nga qyteti i Mitrovicës, dhe për të përshkuar këto kilometra do i`u duhen vetem rreth 15-20 minuta.

Sipas të dhënave të marra nga Ferat Asllan Tupella (1947) thuhet se kullën e ka ndërtuar Ahmet Tupella (babai i Asllanit), në gjysmën e dytë të shek. XIX. Kulla me etazhe P+1 ka funksion banimi. Ka shërbyer si shkollë për edukimin dhe arsimimin e brezave. Kati përdhese ka shërbyer si mësonjëtore. Hapësira e katit është e pandarë në krahasim me kullat e tjera. Më vonë kati i parë ka shërbyer edhe për lënien e kuajve të mysafirëve, ndërsa në kat gjendet oda që ka qenë enkas për mysafirë. Që nga ndërtimi në kullë nuk ka pasur intervenime, në përjashtim të çardakut, që i është larguar në vitin 1990.

Gjendja në të cilën gjendet kulla është shumë e rëndë, saqë rrezikon edhe familjarët me shembjen e saj. Kulla e ndërtuar mbi themel guri me etazh P+1 është e ndërtuar me blloqe guri të vendosura njëra mbi tjetrën, pa hatulla. Në balloren lindore, perëndimore dhe jugore vërehen të hapurat e dritareve në formë të frëngjive me hark, ndërsa në balloren veriore shihen dy hapësira të rrumbullakëta, që kanë shërbyer si pika vrojtuese, të cilat shërbenin edhe për vendosjen e tytës në rast mbrojtjeje. Të gjitha konstruksionet e meskatit, shkallëve, tavanit dhe kulmit janë nga druri. Kulmi katër faqësor është i mbuluar me qeramidhe tradicionale.

Nën hijen e kohës, kulla e Asllan Tupelles shfaqet si një kujtesë e shuar e një epoke të kaluar, duke treguar historinë e një qyteti të vjetër që përjetoi shumë sfida dhe ndryshime. Edhe pse muret e saj mund të jenë të shkatërruara, kujtimet dhe historitë që ajo ruan janë ende të gjalla në kujtesën e banorëve të Mitrovicës.

Që nga viti 2021, kjo kullë është vënë si objekt nën mbrojtje të përkohshme, dhe si e tillë merr edhe vlerën e një objekti të vecantë dhe të rëndësishëm edhe për shtetin.

Linku Google Maps: https://maps.app.goo.gl/8oheJ7kjManryeFZ8

en_GBEnglish