Mu në qendër të qytetit të Vushtrrisë, krenare, duke i bërë ballë kohës qysh nga antikiteti, qëndrojnë muret e Kalasë së Vushtrrisë. Kjo kala është një prej dëshmive të shumta për vjetërsinë e qytetit, si ndër qytetet më të lashta në Kosovë. Nëse e vizitoni qytetin e Vushtrrisë, pot ë gjindeni në pjesën qëndrore të qytetit, shumë lehtë do ta hasni Kalanë e Qytetit.
Dhe nëse jeni të dhënë vetëm pak pas historisë së monumenteve të trashëgimisë kulturore dhe kulturës e historisë në përgjithësi, nuk besojmë se do të mund të rezistoni pa u futur në mes të mureve të saj të larta. Dhe po u futët mes këtyre mureve, nuk do të zhgënjeheni!
Në të do ta keni mundësinë ta prekni vetë historinë e qytetit dhe lashtësinë e tij, do ta ndjeni “aromen” antike dhe do të iu sillen nëpër imagjinatë pamjet e mënyrës së jetesës së njerëzve antik që dikur kanë jetuar në ‘Vicianum’ apo qytetin e Vushtrrisë.
Sipas Historianëve shqiptarë Dr. Skender Riza, Dr. Jahja Drançolli dhe të tjerë thonë se kalaja u ndërtua gjatë periudhës së hershme Iliro-Dardane. Izet Miftari saktësisht thekson se kalaja ishte ndërtuar në shek. VII nga perandori bizantin Justiniani I. Konkludimet e tyre mbështeten në ekzistencën e themeleve të vjetra në të cilat u rindërtua kalaja. Ismet Bylykemini, që jeton në Turqi, shpjegon se themelet e vjetra u zbuluan në vitin 1981 gjatë restaurimit të kalasë. Në kohërat e vjetra kalaja ka shërbyer si strehim për karvanët e huaj tregtarë. Gjatë sundimit osman kalaja një periudhë ka shërbyer si burg, pastaj si depo e armatimit, si dhe për qëllime të tjera varësisht sipas nevojës.
Sistemi fortifikues i Kalasë ka planimetri drejtkëndëshi. Përbëhet nga dy pjesë, kullës dykatëshe ne lindje dhe mureve rrethuese ne perëndim. Muret rrethuese të Kalasë mbështeten ne skajet e mureve anësore te Kullës duke e lëne pjesën më të madhe të Kullës jashtë mureve rrethuese. Kulla me bazë katrori përbëhej nga dy etazhe, mbi të cilat është ndërtuar platoja për mbrojtje me dhëmbë të gjerë prej gurëve. Lidhje mes kateve behej përmes shkallëve te drurit nga ana jugore. Kalaja ka pasur dy hyrje, një qendrore për karroca e cila me gjasë ndodhej ne mes te murit rrethues në anën jugore, e cila edhe sot gjendet po aty, ndërsa hyrja për këmbësor e cila gjendet ne skajin lindor te murrit rrethues, ne vendtakimin e murit rrethues me kullën. Kalaja është ndërtuar nga gurët ranor dhe lumor të lidhur me llaç gëlqeror. Përveç rrënojave të bedeneve mbrojtëse ne gjendje te mjerueshme është edhe kulla dy katëshe. Në vitin 1455 me depërtimin e ushtrisë Osmane në Vushtrri, kalaja kalon në duart e Fatih Sulltan Mehmedit. Sipas Shabanoviqit (1973) gjatë pushtimit Osman, Kalaja pësoj dëmtime dhe më pas me pushtimin e qytetit, ushtria Osmane e rinderton për nevojat e ushtrisë. Për shkak të pozitës strategjike, në kohën kur është ndërtuar si dhe në kohën e osmanëve Kalaja është përdorur për nevoja të ushtrisë. Në vitin 1918 dhe deri më 1922, kalaja është përdorur si burg.
Gjatë viteve 1935-1944 ndërtesa është shfrytëzuar nga Shaban Mulla Gërguri, si torishtë. Me hyrjen e partizanëve dhe më vonë, kalaja është përdorur si depo për mbeturinat e luftës. Në vitet 1955-1960 dhe është vënë rrjeta e volejbollit për stërvitje. Në vitet 1955-1958 kalaja shfrytëzohej si kinema dhe restorant. Ana jugore e kalasë, ku ishte edhe kabina për kino-projektor, ka qenë e mbuluar me çati, ndërsa në murin e jashtëm të kullës shihen edhe sot pjesët metalike ku janë vendosur perdet për shfaqjen e filmave verorë. Kalaja u përdor nga qytetarët deri në vitin 1962. Në kohën e komunizmit, rreth viteve të 70-ta është bërë një intervenim emergjent në kala, në murin jugor kah ana e çarshisë dhe rrugës kryesore për ti mbrojtur kalimtarët nga gurët. (Buçinca, 2012) Në vitin 2013/14 u realizuan punime restauruese dhe konservuese, investitor Ambasada e SHBA.
Kalanë e Vjetër të Vushtrrisë mund ta shihni kurdo në cdo kohë sa herë që ndodheni në qytetin e Vushtërrisë, por për tu futur brenda dhe për ta takuar një udhzues apo ciceron të Kalasë, mund ta vizitoni nga e Hëna në të Premtën nga ora (?) 8:00 deri në orën 14:00 të ditës.
Në Kala zhvillohen edhe shumë aktivitete të ndryshme kulturore dhe artistike, si dhe kohëve të fundit ky kënd kulturor/historike po shfrytëzohet në masë të madhe për fotografi dhe atraksione të ndryshme nga njerëz të shumtë e sidomos nga qifte që kururzimin e dashurisë së tyre kanë dëshirë ta vizualizojnë dhe me një fotografi në Kalanë e Vjetër të qytetit.
Linku Google Maps: https://maps.app.goo.gl/wTpKy22RGdVi3e1L9