E-Mail

ohvsh.trungu@gmail.com

Ish Hotel “Jadran”

 

Ndërtesa e ish – Hotel “Jadran” në Mitrovicë është një perlë e qytetit, e cila përfaqëson një kombinim harmonik mes elegancës së sotme dhe trashëgimisë historike dhe kulturore të vendit.

Në këtë ambient të veçantë, vizitorët bien në dashuri me pamjen nga dritaret që hapen drejt lumit Ibër. Nëpërmjet një udhëtimi të shkurtër historik, vendi i cili gjendet në krah të lumit të ndarë midis dy pjesëve të qytetit të Mitrovicës, bën që çdo vizitë të transformohet në një eksperiencë të paharrueshme, ku pamjet e bukura dhe ngjarjet historike bëjnë që çdo moment të jetë një kapitull i ri i një rrefimi të paharrueshëm.

Ndërtesa e Ish Hotel “Jadran”, ndodhet në qendër të qytetit, në Sheshin “Adem Jashari” në Mitrovicë. Vizita e këtij hoteli bëhet shumë e lehtë me vet faktin që ndërtesa e tij gjendet në mes të qytetit dhe vizitorët nuk kanë nevojë të përshkojnë rrugë të gjatë për të gjetur lokacionin e tij.

 Kjo ndërtesë është e ndërtuar në vitin 1928. Objekti është investim i familjes pasanike Zharkoviq nga Mitrovica. Në fillim objekti ka funksionuar si hotel, pastaj si objekt administrativ i N.T. LUX, kurse më pas si bibliotekë e qytetit. Sot objekti është privatizuar dhe përdhesa e objektit kryen funksion afarist. Objekti ka karakter publik urban dhe është me etazhitet B+P+1. Ndërtesën e karakterizon stili secesionist, me planimetri në formë të shkronjës “L”. Dominon vëllimi qendror i fasadës së ndërtesës, e realizuar në vendtakimin e dy krahëve të ndërtesës, në formë harkore, dhe me realizim të kulmit në formë shatorri rrethor.

Dominimi i hyrjes në kënd të ndërtesës, të potencuar me dy shtylla si dhe me ballkonin harkor në kat, të vetmin në tërë ndërtesën, krahas vendosjes dhe dominimit të objektit në kryqëzimin e rrugëve në qendër të qytetit, ofron përshtypjen e realizimit të suksesshëm të veprës arkitektonike. Ndërtesa ishte realizuar për të kryer funksione shërbyese hotelerie, si kërkesë dhe nevojë e kohës. Sipas etazheve, bodrumi ishte i destinuar për hapësirat ekonomike, përdhesa shërbente për ofrim të shërbimeve hotelerie, ndërsa kati kishte destinim për fjetje. Materialet e ndërtimit janë tradicionale, gur, tulla të argjilës së pjekur, prodhim vendor i fabrikës së pronarit dhe konstruksionet nga druri. Dominon mbulesa e kulmit me tjegulla të falcuara të argjilës së pjekur, ndërsa kulmi i vëllimit harkor dhe disa elemente tjera janë të mbuluar me pllaka të petëzuara të bakrit. Objekti gjatë kohës ka pësuar transformime kryesisht në fasadën e përdheses – ndryshimi i numrit dhe formës së hapjeve. Objekti sot është gjendje relativisht të mirë. Deri në ditët e sotme, objekti kryesisht ka ruajtur gjendjen fillestare të ndërtimit dhe kjo veçanërisht shihet mirë në fasadat ballore të objektit. Në dhjetor 2014 u ndërmorën masat emergjente, investitor MKRS.

Në vitin 2017, pronarët e objektit kanë kontraktaur marrëveshje me palën për ti’ dhënë destinim gastronomie katit përdhese. Paraprakisht është hartuar projekti për ndërhyrje në enterier, sanimet në fasadë si dhe freskimi i ngjyrës në fasadën veriore dhe atë jug-perendimore. Pas aprovimit të projektit për destinimin në fjalë, janë realizuar punimet për të vazhduar me funksionalizim nga muaji Qershor 2017. Mirëmbajtja është relativisht e mirë.

 

Edhe pse Hotel Jadran nuk e ka më funksionin e njejtë si dikur, trashëgimia e tij historike dhe emocioni që ka ngjallur në vizitorët e tij vazhdon të jetojë në kujtesën e qytetarëve të Mitrovicës. Ky hotel, një herësh vend i qetësisë dhe bukurisë, tani mbetet në kujtesën e atyre që e kanë eksploruar dhe përjetuar. Edhe pse nuk është më siç ishte dikur, historia e tij mbetet si një pjesë e rëndësishme e pasurisë kulturore të qytetit.

Linku Google Maps: https://maps.app.goo.gl/dZxaZcxfH78uTN5j7

en_GBEnglish